Transcription
Translator: Besnik Bleta
Reviewer: Helena Bedalli
Software-i i lirë është beteja e parë për çlirimin e kiberhapësirës. Kush e kontrollon kompjuterin tuaj? Ju, apo shoqëritë e mëdha, që e kontrollojnë atë në të vërtetë? Ç’është një kompjuter?
Një kompjuter është një makinë universale. Kryen për ju çfarëdo përllogaritje që doni sepse i jepni një program që i tregon se ç’përllogaritje doni. Kompjuteri di vetëm si të gjejë një udhëzim dhe ta përmbushë, të marrë një tjetër udhëzim dhe ta kryejë. Programi ka udhëzimet, i tregon ç’duhet bërë. Duke shkruar programin përkatës, mund ta bëni të kryejë ç’të doni. Thuajse gjithçka.
Kush ia jep udhëzimet kompjuterit tuaj? Mund të mendoni se iu bindet udhëzimeve tuaja kur në fakt i bindet dikujt tjetër së pari, ndërsa juve ju bindet aq sa e lejon ajo shoqëri. Me software-in, ka dy mundësi: Ose përdoruesit kontrollojnë programin, ose programi kontrollon përdoruesit. O njëra, o tjetra. Që përdoruesit të kontrollojnë programin, u duhen katër liritë themelore. Ky është përkufizimi i software-it të lirë.
Software-i i lirë respekton lirinë dhe bashkësinë e përdoruesve. Shpesh e quajmë "Libre", duke përdorur fjalën frënge, ose spanjolle. Shqiptojeni si të doni, ideja është se kjo është ajo që nënkuptojmë. S’po themi se është falas, nuk po flasim për çmimin. Shqetësohemi për lirinë tuaj, dhe, me raste, themi "I lirë/Libre", që ta tregojmë këtë.
Liria zero është liria për ta xhiruar programin si të doni, për çfarëdo qëllimi. Liria një është liria për të studiuar kodin burim të programit dhe për ta ndryshuar, që të bëjë përllogaritjet që dëshironi të bëjë. Po kodi burim ç’është?
Zakonisht çdo program gjendet në dy forma. Njëra, forma që mund ta lexoni dhe ta kuptoni, nëse e dini gjuhën e programimit. Ky është burimi. Këtë shkruajnë dhe ndryshojnë programuesit. Mandej, është i ekzekutueshmi, një tok numrash që as programuesi s’i ffillon dot. Nëse keni vetëm të ekzekutueshmin, është mundim i tmerrshëm të kuptoni se ç’bën, dhe akoma më e vështirë ta ndryshoni. Pra, për t’ju dhënë vërtet mundësinë që ta studioni dhe ndryshoni, duhet t’ju japin kodin burim. Kjo është domosdoshmëri.
Me këto dy liri, çdo përdorues mund të bëjë një kopje të tijën dhe të fillojë ta ndryshojë, për ta bërë të kryejë atë që do. Ky është kontroll individual. Po nëse s’jeni programues? E shihni kodin burim, dhe s’e kuptoni. Kontrolli individual s’mjafton. Na duhet edhe kontroll kolektiv, që do të thotë, përdoruesit e çfarëdo grupi janë të lirë të punojnë tok për ta përshtatur programin si duan. Kuptohet, te grupi disa janë programues. Janë këta që faktikisht shkruajnë ndryshimet, por këtë e bëjnë si pjesë e grupit për atë që do grupi. Sigurisht, s’ka pse të jenë të gjithë në grup. Të tjerët mund ta përdorin në ndonjë mënyrë tjetër. Të tërë janë të lirë ta bëjnë.
Kontrolli kolektiv lyp dy liri të tjera thelbësore. Liria dy është liria për të shpërndarë kopje ekzakte, për të bërë kopje dhe për t’i falur ato apo shitur, nëse dëshironi. Liria tre është e ngjashme, por vlen për versionet tuaja të modifikuara. Jeni të lirë të bëni kopje, mandej t’i falni apo shisni, kur doni. Nëse i gëzoni këto liri, atëherë është software i lirë, përdoruesit kontrollojnë programin. Por nëse mungon qoftë edhe një prej këtyre lirive, atëherë programin s’e kontrollojnë përdoruesit. Programi kontrollon përdoruesit dhe zhvilluesi kontrollon programin. Pra, kjo do të thotë që ky program është një instrument pushteti të padrejtë i zhvilluesve mbi përdoruesit. Kjo do të thotë që përdoruesi s’ka liri, ky është software jo i lirë, pronësor, nga i cili duhet të çlirohemi.
Ç’ndodh kur merrni software pronësor? Ka raste kur programi përgjon përdoruesin. Ka raste kur e gjurmon përdoruesin. Ka raste kur e kufizon përdoruesin, dhe i pengon përdoruesit të bëjnë atë që duan. Mund ta shihni që rrezja blu është armiku juaj. [Të qeshura] Ka raste që software-i fshin libra që nga larg siç bëri Amazon me "1984"-n. Ka raste kur zhvilluesit i ndjellin përdoruesit të instalojnë një përditësim të dëmshëm, duke kërcënuar se do t’ju heqin veçori të tjera nëse s’e instalojnë, siç bëri Sony. Ka raste kur mund të ndryshojnë software pa pyetur, së largëti siç mundet Microsoft-i me Windows-in, përmes deriçkash të pasme universale. Ka raste kur madje edhe i sabotojnë përdoruesit, siç bën Microsoft-i kur i tregon NSA-së për të meta në Windows, që kjo të mund t’i përdorë për sulme kundër kompjuterave të njerëzve.
Pra, në thelb, me software-in pronësor, pronari ka pushtet mbi përdoruesit, dhe përfiton prej këtij pushteti, duke futur në të funksione të tilla dëmprurëse për t’u bërë dëm përdoruesve. Kuptohet, këtë e bëjnë jo se janë sadistë; e bëjnë thjesht për para, nga lakmia. Zotërojnë rrugë të ndryshme për të përfituar nga ky pushtet mbi përdoruesit, çka s’e bën as edhe një fije më pak të lig. Dhe nuk kanë turp prej kësaj. Mbajnë konferenca ku flasin mbi mënyrat më të reja të mundshme për të përfituar nga përdoruesit përmes pushtetit që kanë. Në thelb, me software-in pronësor, çka vlen tani për thuajse krejt përdoruesit e software-it pronësor, ju përdorni malware pronësor. Që do të thotë "software për leshko".
Si t’i jepni fund qenies viktimë? Dikur, duhej të reshtnit së përdoruri kompjuter, por sot, jo më. Tani mund të bashkoheni me ne, në një botë të lirë që po ndërtojmë. Më 1983-shin, njoftova se do të hartoja një sistem operativ plotësisht software të lirë, të quajtur GNU. Më 1992-shin, thuajse e mbaruam, por na mungonte një pjesë, kerneli. Linus Torvalds, atë vit e kaloi të lirë kernelin e tij, Linux-in, i cili plotësoi zbrazëtinë e fundit, dhe na dha sistemin e parë të plotë që mund ta xhironit në një PC: GNU/Linux.
Mjerisht, pasja e lirisë në një çast, nuk garanton ruajtjen e saj. Ka mbi një mijë variante të ndryshme GNU/Linux, të quajtura shpërndarje. Pak prej tyre janë tërësisht software i lirë; shumica e tyre kanë të shtuar software jo të lirë, se mirëmbahen nga njerëz që nuk u bëhet vonë për lirinë. Në vend të saj, do të shtonin leverdi, por në kurriz të lirisë. Pra, duhet të kontrolloni se cila është shpërndarje e lirë. Që të ruani lirinë tuaj, ndonjëherë lypset ndonjë sakrificë, ndonjëherë një sakrificë e madhe, si në Leksington. Por gjatë fushatës sonë, prirja është për sakrifica të vogla. Cilido me pakëz pjekuri mund t’i arrijë këto sakrifica.
Për shembull, doni aplikacione, por disa prej tyre s’janë të lira. Nëse doni liri, duhet të mësoheni pa to. Mund të ketë ndonjë parehati, lypset të vuani për hir të lirisë suaj. Më tej, mjaft sajte dërgojnë për shfletuesin e përdoruesit programe jo të lira, të shkruara në JavaScript. Nëse nuk dëshironi të xhironi programe jo të lira, do të duhej të instalonit LibreJS-në që bllokon, mban larg, JavaScript jo të lirë.
Ka raste kur shërbyesit ju ofrojnë të bëjnë punën e kompjuterit tuaj. Thonë, "Na dërgoni krejt të dhënat tuaja." Qartazi për leshko. Mandej shërbyesi bën përllogaritjet, dhe ju kthen përfundimet. Ajo që s’pritet prej jush është të mendoni se ç’po ndodh, ngaqë është një "re", dhe nuk shihni se ç’ndodh. Por ja që do të duhej të shihnit. Është shërbim në vend të software-it, dhe ju heq nga duart kontrollin mbi punën në kompjuter.
Një pjesë e madhe e shërbyesve të botës xhirojnë GNU/Linux dhe tjetër software të lirë. Por mendoj se kompjuterat më me rëndësi ku duhet rrënjosur liria janë kompjuterat tuaj, jo shërbyesit web të shoqërive. Edhe ata e meritojnë të jenë të lirë. Por mbi të gjitha, janë njerëzit ata që e meritojnë lirinë. Pra na duhet të ecim përpara, dhe për ta bërë këtë, na duhet të kapërcejmë pengesa.
Një prej tyre është fakti që ka kompani të mëdha që nxjerrin goxha para prej kontrollit që kanë mbi përdoruesit. S’duan të na lënë të ecim përpara. Na duhet të fitojmë mbi kundërveprimin e tyre. Një tjetër janë mediat zyrtare, që nuk ndihen për software-in e lirë. Kanë një term që e përdorin për të varrosur këto probleme etike. Flasin për "burim të hapur" më mirë. Tani, bëhet fjalë për të njëjtat programe, pak a shumë, por me ide të ndryshme. Kur veprimtarët e software-it të lirë thonë, "Çështja është te e mira dhe e keqja. Përdoruesit meritojnë liri. Kërkojmë liri." Ata që thonë "burim të hapur", s’duan të flasin për gjëra të tilla. Në vend të kësaj thonë, "Lërini përdoruesit të ndryshojnë software-in dhe ta rishpërndajnë atë, dhe do ta përmirësojnë kodin. Ca të meta do t’i ndreqin." Mund të jetë e vërtetë, por është çështje e dorës së dytë. Nëse duam ta ruajmë lirinë tonë, duhet të flasim për lirinë. Ndaj, thoni "software i lirë" dhe kështu na ndihmoni.
Një pengesë tjetër është fakti që mjaft shkolla japin mësim software jo të lirë, që, në thelb, është si t’u mësosh fëmijëve të tymosin duhan. Është mbjellje varësie, çka është e kundërta e asaj që shkollat duhet të bëjnë. Shkolla duhet t’i përgatisë shtetasit të jetojnë në një shoqëri të lirë, të fortë, të aftë, të pavarur dhe bashkëpunuese, që do të thotë, në shkolla të jepet mësim software i lirë. Por ka edhe një arsye tjetër për ta bërë këtë në arsim. Disa fëmijë duan të bëhen programues, janë kureshtarë. Duan të dinë se si punojnë programet. Ai që studion software të lirë, mund ta kuptojë, ai që studion një program jo të lirë s’mund të mësojë dot gjë, sepse dija në programin jo të lirë mbahet fshehur, u mohohet nxënësve. Ndaj për të mbrojtur shpirtin e arsimit, shkolla do të duhej të siguronte që programet e veta janë të lira.
Por ka një arsye edhe më të rëndësishme: Shkollat duhet të edukojnë me frymën e mirësisë, me zakonin e të ndihmuarit të njerëzve të tjerë. Klasa duhet të thotë, "Nëse sillni një program në klasë, ashtu si kur në klasë sillni biskota, duhet t’i ndani me këdo tjetër. S’mund ta mbani vetëm për vete. Duhet të ndani me të tjerët kodin burim, që të tjerët të mund të mësojnë. Ndaj mos sillni software pronësor te kjo klasë." Shkolla duhet të japë shembullin e mirë duke ndjekur rregullin e vet: Në klasë duhet të sillni vetëm software të lirë, hiq rastet për ushtrime retroinxhinierimi.
Një tjetër pengesë është se ka hardware për të cilët nuk dimë se si t’u shkruajmë software të lirë, sepse nuk na tregohet si të përdoret hardware-i. Kjo është tronditëse. Duan t’ju shesin produktin, pa ju treguar se si ta përdorni. Ju thonë, "Ja një program jo i lirë që mund ta përdorni. Xhirojeni, dhe qepeni. Mos na bezdisni." Si zbulohet përmes retroinxhinierimit se si të xhirohet ai hardware? Duhet të studioni gjithë ato 0 dhe 1-sha që të kuptoni se ç’bëjnë në të vërtetë, dhe të mbani shënime se si të përdoret ai hardware, që kështu dikush të shkruajë programin e lirë që e bën këtë. Punë e rëndë, por që mund të bëhet -- nëse doni të jepni një ndihmesë të madhe teknike, kjo është ajo që duhet të bëni.
Çdo zonë, veprimtari e re e jetës, mund të sjellë me vete të drejta të reja të njeriut që janë të nevojshme. Të drejtat e njeriut varen nga njëra-tjetra. Nëse humbni njërën, bëhet më e zorshme të ruhen të tjerat. Pra, sot, përdorimi i kompjuterit është kaq i rëndësishëm në shoqëri sa që liritë e software-it të lirë të jenë pjesë e të drejtave të njeriut, të cilat shoqëria i sendërton dhe mbron.
Atëherë, si të ndihmoni? Mund të shkruani software të lirë. Mund të organizoni grupe për fushata që të binden shkollat dhe qeveritë të kalojnë në software-in e lirë. Mund të ndihmoni të tjerët në probleme me përdorimin e software-it të lirë, ose t’i ndihmoni në instalimin e tij. Mund të thoni "software i lirë" dhe të përhapni idetë filozofike. Kalimi në software të lirë është hapi i parë për çlirimin e kiberhapësirës, por dihet që përdorim edhe Internetin. Atje na duhen të tjera liri, të tilla si asnjanësia në rrjet, dhe dhënia fund survejimit të njerëzve në përgjithësi. (Duartrokitje)